Telegrafi

Ukrainasit avancojnë në Kherson, guvernatori pro-rus bën thirrje për evakuimin e civilëve

Guvernatori i rajonit të okupuar të Khersonit në jug të Ukrainës, Vladimir Saldo, të cilin Rusia e vendosi në këtë post, i ka bërë thirrje civilëve që të evakuohen me arsyetimin se po ndodhin sulme të pandërprerë nga ana e ukrainasve, që po avancojnë në këtë rajon.

Vladimir Saldo në një video ka thënë se njerëzit në katër qytetet do të largohen nga lumi Dnipro, duke marrë parasysh rrezikun nga granatimi i ukrainasve që mund të shkatërrojë digën më të afërt, transmeton Telegrafi.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që ta “shpëtojnë veten” duke ikur në Rusi, dhe shfrytëzoi rastin që të kërkojë ndihmë nga Moska.

E thirrjen e tij më vonë e mbështeti nënkryetari i qeverisë ruse Marat Khusnullin, gjatë një adresimi në televizionin publik.

Në anën tjetër, Ukraina vazhdimisht mohon pretendimet e rusëve se ka për objektiv civilët.

Trupat ukrainase së fundmi rikthyen kontrollin në veriperëndim të Khersonit, duke iu afruar qytetit kryesor të këtij rajoni.

“Qeveria ka marrë vendim që të organizojë evakuimin e tyre në rajonet e tjera”, tha Khusnulin që ka përgjegjësi për pjesën jugore të Rusisë dhe Krimenë.

Ai theksoi se do t’ju sigurojë akomodim pa pagesë të gjithë atyre që konsiderohen të rrezikuar. /Telegrafi/