Site icon Telegrafi

Ukraina zëvendëson komandantin pas avancimeve ruse në qytetin kyç Pokrovsk

Komandanti i grupit lindor të forcave të Donetskut të Ukrainës është zëvendësuar pas përparimeve ruse në rajon, ka njoftuar një zyrtar ushtarak.

Gjenerali Oleksandr Tarnavskiy do të marrë detyrën si kreu i grupit operativ dhe taktik, duke zëvendësuar gjeneralin Oleksandr Lutsenko.

Bëhet e ditur se masa vjen pasi Lutsenko u përball me kritika të rënda për dështimin për të ndaluar përparimet e fundit ruse në qytetin kyç të Pokrovsk.

Kjo pasi forcat ruse janë parë vetëm tre kilometra nga qyteti, sipas shërbimit ukrainas të hartave DeepState.

Pokrovsk ka qenë vendi i disa prej betejave më të ashpra në frontin lindor prej muajsh, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

I shtrirë rreth 17 kilometra nga rajonet Donetsk dhe Dnipropetrovsk të Ukrainës, ai është një objektiv strategjik për Moskën.

Dhe rënia e tij në duart e forcave ruse do të shënonte pengesën më të madhe për Ukrainën në muajt e fundit.

Humbja e Porkovskit do të shtonte gjithashtu ankthin e ukrainasve për presidencën e afërt të Donald Trump në SHBA, e cila ka rritur rrezikun që ndihma ushtarake nga burimi më i madh i Kievit mund të zbehet ndërsa konflikti i ashpër po i afrohet vitit të katërt.

Diku tjetër në luftë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se forcat e Moskës kishin filluar të dislokonin një numër “të konsiderueshëm” ushtarësh të Koresë së Veriut në përpjekjet e saj për të përzënë ushtrinë e Ukrainës nga rajoni Kursk i Rusisë.

Ndryshe, Ukraina nisi një inkursion në Kursk në gusht dhe ende ruan disa vendbanime atje.

“Sot, tashmë ka prova paraprake se rusët kanë filluar të përdorin ushtarë nga Koreja e Veriut në sulme – një numër të konsiderueshëm të tyre”, tha Zelensky.

Ai shtoi se Ukraina kishte informacione se ushtarët e Koresë së Veriut mund të përdoren përgjatë pjesëve të tjera të vijës së frontit. /Telegrafi/

Exit mobile version