Telegrafi

Ukraina vret ish-deputetin ‘tradhtar’, Illya Kyva

Ish-deputeti ukrainas, Illya Kyva është vrarë në Rusi nga shërbimi i sigurisë SBU së Ukrainës.

“Krimineli u likuidua duke përdorur armë të lehta”, kanë thënë burime të zbatimit të ligjit për BBC.

Trupi iu gjet jashtë kryeqytetit Moskë, thanë hetuesit rusë.

Lexo po ashtu Biden kritikon republikanët për ndërprerjen e ndihmave për Ukrainën: Po i jepni dhuratën më të bukur Putinit

Në fillim të këtij viti, Kyva u dënua me 14 vjet burg për tradhti të lartë dhe thirrje publike për pushtimin e Ukrainës. Ai tashmë kishte ikur nga Ukraina dhe ishte dënuar në mungesë.

Disa media ukrainase cituan gjithashtu burimet e tyre të thoshin se SBU qëndronte pas vrasjes së ish-deputetit, i cili ishte 46 vjeç.

“Po, ne mund të konfirmojmë se Kyva nuk është më. Këtë fat do ta kenë tradhtarët e tjerë të Ukrainës dhe marionetat e regjimit të Putinit”, tha Andriy Yusov, zëdhënës i inteligjencës ushtarake të Ukrainës.

Komiteti hetues shtetëror i Rusisë tha se informacionet paraprake treguan se Kyva u qëllua për vdekje në fshatin Suponevo, në perëndim të Moskës. Tani po zhvillohet një hetim penal.

Lexo po ashtu Paketa e re e armëve prej 175 milionë dollarësh për Ukrainën, Blinken: Një nga të fundit që aktualisht mund të sigurojmë

Kyva kishte bërë fushatë të pasuksesshme për presidencën e Ukrainës në vitin 2019 dhe u largua nga vendi vetëm një muaj para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.

Ai kishte qenë pjesëmarrës i rregullt në shfaqje televizive propagandistike në mediat shtetërore ruse ndërsa kishte planifikuar të kërkonte azil politik në Rusi.

Ndryshe, SBU dhe inteligjenca ushtarake kanë kryer një sërë operacionesh të suksesshme në rajonet e pushtuara të vendit si dhe në vetë Rusinë. /Telegrafi/