Ukrainasit pretendojnë se forcat e tyre po avancojnë gradualisht në jug dhe njoftojnë se ushtria do të marrë 1700 dronë sulmues dhe zbulues.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Maliar raportoi për përparimin drejt Melitopolit dhe Berdjansk, qytete të pushtuara që ndodhen në jug të vendit, raporton cnn.
Ajo shtoi se forcat e Kievit po sulmojnë me sukses rrethin e Bakhmutit. Në fillim të muajit qershor, ukrainasit filluan të bëjnë përpjekje të mëdha për të rikthyer sa më shumë territore, por përparimi është më i ngadalshëm se sa pritej.
Ndërkohë, Mykhailo Fedorov, ministri ukrainas i transformimit dixhital, deklaroi se 1700 dronë po dërgohen në vijat e para të frontit.
“Të gjithë po shkojnë në front për të mbrojtur jetën e ushtarëve tanë, për ta bërë artilerinë tonë edhe më të saktë, për të shkatërruar armikun”, tha ai.
Ndryshe, deri më tani janë trajnuar 10 mijë persona për drejtimin e dronëve. /Telegrafi/