Ukraina e sheh praninë e luftanijeve ruse pranë kufijve të saj në Detin e Zi si një kërcënim dhe do t’i kërkojë Turqisë të konsiderojë mbylljen e dy rrugëve ujore për anijet ruse nëse Moska fillon pushtimin, ka thënë të mërkurën ambasadori ukrainas në Turqi, Vasyl Bodnar.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, njohja nga Rusia e dy rajoneve të shkëputura në Ukrainën lindore këtë javë ka shkaktuar një reagim të shpejtë dhe sanksione nga fuqitë perëndimore.
Turqia, e cila kufizohet me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi, është kundër sanksioneve në parim, por e ka quajtur lëvizjen e Rusisë të papranueshme.
Në fillim të këtij muaji, gjashtë anije luftarake ruse dhe një nëndetëse kaluan tranzit nga Dardanelet dhe Bosforin drejt Detit të Zi për atë që Moska i quajti stërvitje detare pranë ujërave të Ukrainës.
I pyetur në lidhje me praninë e anijeve luftarake ruse pranë kufijve të Ukrainës, Bodnar i tha Reuters në një intervistë se anijet përbënin “një rrezik të madh” për Kievin, duke shtuar se përqendrimi i marinës ruse në Detin e Zi ishte “dërrmues”.
“Ne besojmë se, në rast të një pushtimi të gjerë ushtarak ose fillimit të aktiviteteve ushtarake kundër Ukrainës –do t’i kërkojmë qeverisë turke të shqyrtojë mundësinë e mbylljes së ngushticave të Detit të Zi për shteti agresor”, tha ai.
Sipas Konventës së Montreux të vitit 1936, Turqia anëtare e NATO-s ka kontroll mbi ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve, që lidhin Mesdheun dhe Detin e Zi.
Pakti i jep Ankarasë fuqinë për të rregulluar tranzitin e anijeve luftarake detare dhe për të mbyllur ngushticat për anijet luftarake të huaja gjatë kohës së luftës dhe kur ajo është e kërcënuar.
“Ne kemi propozuar një numër iniciativash, duke filluar nga metodat e konsultimit midis palëve tona, deri në krijimin e një mekanizmi të përbashkët reagimi ndaj kërcënimeve ndaj sigurisë në rajonin tonë,” tha Bodnar, duke shtuar se Ukraina ende besonte se një zgjidhje diplomatike ishte e mundur.
Ndryshe, presidenti Tajip Erdogan u citua të thoshte të mërkurën se Turqia, e cila ka lidhje të mira me Ukrainën dhe Rusinë, nuk mund të braktisë lidhjet e saj me asnjërin vend dhe se do të ndërmarrë hapa për të siguruar që marrëdhëniet të mbeten të paprekura.
Por ndërsa ndërton bashkëpunim të ngushtë me Rusinë për mbrojtjen dhe energjinë, Ankaraja ka shitur gjithashtu drone të sofistikuar në Ukrainë dhe ka nënshkruar një marrëveshje për të bashkëprodhuar më shumë, duke zemëruar Moskën.
Turqia gjithashtu kundërshton politikat ruse në Siri dhe Libi, aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe njohjen e dy rajoneve gjeorgjiane në vitin 2008. /Telegrafi/