Telegrafi

Ukraina thotë se shkatërroi një bazë ruse të dronëve – publikohen imazhet satelitore

Ukraina thotë se disa fotografi satelitore tregojnë shkatërrimin e një magazine ruse të përdorur për të lëshuar dronët e prodhuar nga Irani dhe për të trajnuar kadetët.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, imazhet – të postuara nga marina e Ukrainës – pasojnë raportet e një shpërthimi masiv pranë një aeroporti rus në rajonin jugor të Krasnodarit.

Moska ende nuk ka komentuar mbi raportet, por tha se ka rrëzuar një numër dronësh në rajon gjatë natës të premten.

Zyrtarët e marinës në Kiev kanë thënë se një numër instruktorësh trajnimi dhe kadetësh që mësonin të përdornin dronët Shahed të prodhuar nga Irani u vranë nga sulmi, për të cilin ata thanë se ndodhi të premten mbrëma.

Në një postim për Telegram, zyrtarët e marinës në Kiev theksuan se operacioni ishte planifikuar dhe kryer në partneritet me agjencitë e inteligjencës ukrainase.

Baza ishte e vendosur në Detin Azov përballë qytetit të okupuar ukrainas të Mariupolit, treguan të dhënat nga Planet Labs – kompania me qendër në SHBA që bëri fotot.

“Imazhet e reja satelitore konfirmojnë shkatërrimin natën e 21 qershorit të objekteve të magazinimit dhe përgatitjes së Shahed-136/Geran-2, ndërtesave stërvitore, pikave të kontrollit dhe komunikimit të këtyre UAV-ve të vendosura në Territorin e Krasnodarit”, shkruan zyrtarët. /Telegrafi/