Site icon Telegrafi

Ukraina thotë se nuk ka kuptim mbajtja e negociatave derisa nuk i largojmë trupat ruse

Ukraina hodhi poshtë të shtunën thirrjen e presidentit francez Emmanuel Macron për të mos “poshtëruar” Rusinë për hir të diplomacisë dhe tha se nuk ka efekt zhvillimi i negociatave derisa forcat e Moskës nuk shtyhen sa më shumë të jetë e mundur.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Macron, i cili ka vazhduar dialogun me udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt, ofroi të premten të ndërmjetësojë në luftë dhe paralajmëroi kundër poshtërimit të Moskës në mënyrë që të mbajë derën e hapur për një zgjidhje diplomatike.

Ministri i Jashtëm, ukrainas, Dmytro Kuleba hodhi poshtë deklaratën e Macron në Twitter, duke thënë se thirrje të tilla “vetëm mund ta poshtërojnë Francën dhe çdo vend tjetër që e kërkon atë”.

“Sepse është Rusia ajo që poshtëron veten. Të gjithë më mirë të përqendrohemi se si ta vendosim Rusinë në vendin e saj. Kjo do të sjellë paqe dhe do të shpëtojë jetë”, tha ai.

I pyetur në lidhje me ofertën e ndërmjetësimit në televizionin kombëtar, këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak tha: “… Derisa të marrim armët në sasinë e tyre të plotë, derisa të forcojmë pozicionet tona, derisa t’i shtyjmë ato (forcat ruse) sa më shumë që të jetë e mundur në kufijtë e Ukrainës, nuk ka kuptim të zhvillohen negociata”.

Ukraina, e cila thotë se Rusia ka pushtuar tashmë rreth 20 për qind të territorit të saj, tani po merr armë më të fuqishme nga Perëndimi. /Telegrafi/

Exit mobile version