Ushtria ukrainase mund të ketë kohë të mjaftueshme për të thyer korridorin tokësor të Rusisë për në Krimenë e pushtuar përkohësisht edhe para fillimit të dimrit, ndërkohë që pushtuesit vendosën rezervat e tyre “para kohe”.
Kështu deklaroi kreu i Drejtorisë kryesore të Inteligjencës të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, Kyrylo Budanov, i cili foli në një intervistë për The Economist, transmeton Ukrinform, përcjell Telegrafi.
“… Linja e saj (e Rusisë) e parë e mbrojtjes në rrugën më të rëndësishme jugore në Zaporizhzhia tashmë është thyer në disa vende, që do të thotë se operacioni për të shkëputur lidhjet tokësore midis Rusisë dhe Krimesë mund të përfundojë para se të hyjë dimri”, citohet të ketë thënë ai.
Sipas Budanov, forcat ukrainase kanë përdorur tashmë një pjesë të rezervave të tyre për të drejtuar operacionin, por armiku i dëshpëruar tashmë ka vendosur edhe ato rezerva që supozohej të hynin në lojë jo më herët se tetori.
“Përkundër asaj që deklaron Federata Ruse, ajo nuk ka absolutisht asnjë rezervë strategjike”, theksoi kreu i agjencisë GUR.
Më herët, Budanov deklaroi se kundërofensiva ukrainase e Forcave të Armatosura do të vazhdojë edhe në periudhën e dimrit. /Telegrafi/