Katari është gati të ndërmjetësojë në procesin e kthimit të pengjeve civile ukrainase nga Rusia dhe atyre që gjenden në territoret e pushtuara.
“Katari është gati të marrë pjesë në kthimin jo vetëm të fëmijëve ukrainas, por edhe të pengjeve civile. Unë tashmë mund ta them këtë. Kemi pasur komunikime të shumta. E vetmja gjë është se ne nuk arritëm t’i kthejmë fëmijët me ritmin me të cilin do të donim t’i kthenim. Ka shumë më tepër fëmijë, por ne jemi duke punuar”, tha Avokati i Popullit ukrainas, Dymtro Lubinets.
Ndryshe, individët që qëndrojnë në Rusi ose në territoret e pushtuara dhe duan të kthehen në Ukrainë, duhet të paraqesin një ankesë zyrtare në Zyrën e Avokatit të Popullit, sepse vetëm kjo jep bazë ligjore për t’u marrë me kthimin fizik të tyre.
Raportohet nga mediat se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur mirënjohës ndaj të gjithë ekipit që punon për kthimin e fëmijëve ukrainas, duke përfshirë Zyrën e Avokatit të Popullit, partnerët ndërkombëtarë si UNICEF, e sidomos Katarin.
“Katari qëndron fuqishëm në mbështetje të përpjekjeve të bëra nga pala ukrainase dhe ruse për të mbrojtur të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve të prekur nga kriza e vazhdueshme”, deklaroi Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit, duke bërë me dije përkushtimin e madh për të lehtësuar ribashkimin e fëmijëve me familjet e tyre në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë. /Telegrafi/