Telegrafi

Ukraina thotë se ka shkatërruar 50 depo municionesh ruse duke përdorur sistemet raketore amerikane HIMARS

Forcat ukrainase kanë shkatërruar 50 depo municionesh ruse duke përdorur sistemet raketore HIMARS të furnizuara nga SHBA.

Kështu, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka thënë të hënën ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov.

“Kjo shkurton zinxhirët e tyre logjistikë (rusë) dhe ua heq aftësinë për të zhvilluar luftime aktive dhe për të mbuluar forcat tona të armatosura me granatime të rënda”, citohet të ketë thënë ai gjatë komentimeve në televizion.

Dhe Reuters shkruan nuk mund të verifikonte në mënyrë të pavarur deklaratat e Reznikov në lidhje me përdorimin e Sistemeve të Raketave të Artilerisë së Lëvizshmërisë së Lartë (HIMARS).

Veç kësaj, edhe Rusia nuk ka bërë ndonjë koment rreth një pretendimi të tillë.

Këto pretendime vijnë në të njëjtën kohë kur inteligjenca britanike ka thënë se Rusia po përpiqet “të nxjerrë dhe riparojë” mijëra automjete luftarake që janë dëmtuar në Ukrainë.

Madje, duke shkruar në Twitter, Ministria e Mbrojtjes tha se Rusia po përballet me “një dileme”: “Nëse duhet të sigurojë ofensivën në lindje, apo të forcojë mbrojtjen në perëndim”.

“Përveç problemeve të personelit të saj të dokumentuara mirë, Rusia ka të ngjarë të vazhdojë të luftojë për të nxjerrë dhe riparuar mijëra automjete luftarake që janë dëmtuar gjatë aksionit në Ukrainë”.

Veç kësaj, zyrtarët ushtarakë ukrainas kanë pretenduar për një “pikë kthese” në betejën për të rimarrë rajonin jugor të Khersonit.

Ata kanë thënë se do të përdorin armët perëndimore për të çliruar deri në shtator qytetin e parë të madh të pushtuar nga forcat ruse.

Ndryshe, javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do t’i dërgojnë Ukrainës edhe katër sisteme HIMARS, pasi në të kaluarën i kishin dërguar 12 të tjerë. /Telegrafi/