Site icon Telegrafi

Ukraina thotë se dëmi nga shembja e digës Kakhovka kap shumën e 1.2 miliardë eurove

Shkatërrimi i digës të Kakhovkës shkaktoi dëme prej 1.2 miliardë eurosh, tha sot ministri ukrainas i Mjedisit, duke paralajmëruar se minat e zbuluara nga përmbytjet mund të përfundojnë në brigjet e vendeve të tjera evropiane.

Shembja e digës më 6 qershor, e mbikëqyrur nga forcat ruse, shkaktoi përmbytje në të gjithë jugun e Ukrainës dhe në rajonin Kherson të pushtuar nga Rusia, duke vrarë më shumë se 50 njerëz dhe duke shkatërruar shtëpi dhe tokë bujqësore, transmeton Telegrafi.

Duke iu drejtuar një takimi të ministrave të Mjedisit të Bashkimit Evropian përmes video-lidhjes, Ministri ukrainas i Mjedisit, Ruslan Strilets, tha se vlerësimi i dëmeve është në vazhdim, por shembja e digës është tashmë fatkeqësia më e madhe mjedisore që nga pushtimi rus në shkurt 2022.

Lexo po ashtu Kreu i Wagnerit sërish sulmon udhëheqjen ushtarake ruse: I harruat luftëtarët tanë në Bakhmut

“Ka gjëra që nuk mund t’i rivendosim kurrë, të cilat janë ekosistemet që janë derdhur në Detin e Zi. Këtu përfshihen 20,000 kafshë që ndoshta kanë ngordhur, së bashku me speciet endemike që gjenden vetëm në jug të Ukrainës”, tha ai.

Strilets nuk specifikoi se çfarë përbën dëmin e vlerësuar prej 1.2 miliardë euro, por tha se shembja e digës la rreth një milion njerëz pa ujë të pijshëm pasi vëllimi i rezervuarit të Kahovkës u ul me tre të katërtat.

“Evropa do të gjejë minat ruse në plazhet e saj”, tha ai.

Lexo po ashtu Kreu i kundërzbulimit ushtarak të Ukrainës: Rusët kanë minuar centralin bërthamor të Zaporizhzhia

Ukraina ka akuzuar Rusinë për bombardimin e një dige të epokës sovjetike nën kontrollin rus që në ditët e para të pushtimit, dhe Kremlini ka akuzuar Kievin për sabotim të një hidrocentrali.

Një ekip ekspertësh ndërkombëtarë ligjorë që ndihmojnë prokurorët ukrainas në hetimin e tyre, thanë se ishte “shumë e mundshme” që shembja e digës të ishte shkaktuar nga eksplozivët e vendosur nga rusët.

Shefi i politikës mjedisore të Bashkimit Evropian, Virginijus Sinkevicius, tha se vendet e BE-së po koordinojnë dërgesat emergjente të varkave, strehimoreve, digave të ujit, furnizimeve mjekësore dhe pastruesve të ujit.

Në përgjigje të shkatërrimit të digës, Polonia tha se Rusia duhet të pezullohet nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme, dhe i kërkoi BE-së të koordinojë një thirrje të mbështetur nga Estonia, Lituania dhe Letonia gjatë një takimi të ministrave të mjedisit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version