Telegrafi

Ukraina do të fillojë një kundër-ofensivë pas dy muajsh, thotë ndihmësi i Zelenskyt

Forcat e Armatosura të Ukrainës (AFU) po përgatiten për një kundërofensivë, e cila do të fillojë pas rreth dy muajsh, tha Mykhailo Podolyak, këshilltar i kreut të zyrës presidenciale.

“Nuk jemi me nxitim, do të riorganizohemi gjatë dy muajve të ardhshëm. Ne do t’i rraskapitim rusët në Bakhmut dhe më pas do të fokusohemi diku tjetër”, tha Podolyak në një intervistë të botuar sot nga gazeta italiane La Stampa, transmeton Telegrafi.

Rusia kishte përqendruar shumicën e personelit të saj të trajnuar ushtarak në Bakhmut, së bashku me kompanitë ushtarake private më të gatshme për luftim, shtoi ai.

Si e tillë, Ukraina sipas zyrtarit po synon dy qëllime kryesore në mbrojtjen e Bakhmutit: të fitojë kohë për të rimbushur forcat e saj dhe t’i shkaktojë humbje të mëdha ushtrisë ruse. Ai shtoi se vendimi për ta bërë mbrojtjen e një zone kyçe një detyrë prioritare ishte një strategji e përbashkët e zhvilluar nga krerët ushtarakë të vendit me miratimin e Presidentit të Ukrainës.

“Është e rëndësishme që ata të ecin në këtë drejtim. Prandaj, ne kemi dy qëllime: të zvogëlojmë sa më shumë personelin e tyre të gatshëm për luftim dhe t’i shtrëngojmë ata në disa beteja kyçe rraskapitëse, të prishim ofensivën e tyre dhe të përqendrojmë burimet tona diku tjetër për një kundërsulm pranveror “, tha Podolyak.

Shefi i Grupit mercenar rus Wagner gjithashtu ka deklaruar se Ukraina po përgatit një kundërofensivë në Bakhmut ku po zhvillohen luftimet më të ashpra për momentin. /Telegrafi/