Volodymyr Zelensky ka folur para mediave në bazën ajrore amerikane “Ramstein” në Gjermani.
Në një përditësim mbi situatën në rajonin e Kurskut, udhëheqësi ukrainas tha se tani ata kontrollojnë më shumë se 1300 kilometra katrorë.
Ai u kërkoi gjithashtu aleatëve ushtarakë të injorojnë “vijat e kuqe” të Moskës dhe të lejojnë Kievin të përdorë armë me rreze të gjatë për sulme në territorin rus, shkruan skynews.
“Ne duhet t’i kemi këto aftësi me rreze të gjatë jo vetëm për territorin e Ukrainës, por edhe në territorin rus, në mënyrë që Rusia të motivohet për të kërkuar paqen”, tha ai në takimin me rreth 50 vende që furnizojnë me armë Ukrainën.
Kujtojmë se në fillim të muajit gusht, trupat ukrainase filluan një sulm të befasishëm në rajonin Kursk të Rusisë.
Zelensky tha se masa ishte për të “mbajtur” territorin dhe ishte një pjesë kyçe e “planit të fitores” për t’i dhënë fund luftës.
Pushtimi u mbajt i fshehtë nga aleatët dhe për këtë në dijeni ishte vetëm shërbimi inteligjent i Ukrainës.
Por, deri më tani sulmi i befasishëm brenda territorit të Kurskut nuk e ka tërhequr fokusin e presidentit rus, Vladimir Putin nga marrja e qytetit ukrainas të Pokrovsk, i cili ofron lidhje kritike hekurudhore dhe furnizimi për ushtrinë ukrainase. Humbja e Pokrovsk mund të rrezikojë qytete të tjera të Ukrainës. /Telegrafi/