Ukraina po përgatitet të rrisë eksportet e energjisë elektrike në Bashkimin Evropian (BE) për ta ndihmuar atë t’i “rezistojë presionit të energjisë” nga Rusia.
“Ne do të rrisim eksportin e energjisë elektrike për konsumatorët në BE”, tha Volodymyr Zelensky.
Deklarata e presidentit ukrainas vjen një ditë pas marrëveshjes së vendeve anëtare të BE-së për të ulur në mënyrë të koordinuar konsumin e gazit dhe për ta ndihmuar Gjermaninë pas reduktimit drastik të dërgesave ruse.
Ukraina dhe BE-ja akuzojnë Moskën për përdorimin e gazit si një armë ekonomike dhe politike, raporton theguardian.
“Pavarësisht luftës, ne kemi siguruar integrimin e rrjeteve ukrainase në sistemin evropian në një kohë rekord. Eksportet tona na lejojnë jo vetëm të rrisim të ardhurat nga valuta, por edhe të ndihmojmë partnerët tanë t’i rezistojnë presionit të energjisë ruse. Ne gradualisht do ta bëjmë Ukrainën një vend që garanton sigurinë energjetike të Evropës”, tha Zelensky.
Ndryshe, Rusia tashmë ka reduktuar dërgimin e gazit në drejtim të vendeve anëtare të BE-së. /Telegrafi/