Site icon Telegrafi

Ukraina sulmon për herë të parë me aeroplan luftarak një objektiv brenda Rusisë

Një aeroplan luftarak ukrainas ka gjuajtur për herë të parë një armë që ka goditur një objektiv brenda Rusisë, ka njoftuar një burim ushtarak ukrainas.

Burimi tha se një “nyje komanduese ruse” është goditur në zonën e Belgorodit, në Rusinë perëndimore.

Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë lloj municioni është përdorur në sulm, nëse kishte qenë apo jo një armë perëndimore.

SHBA-ja dhe Franca kohët e fundit thanë se forcat e armatosura ukrainase u lejuan të përdorin armët e tyre për të goditur objektivat ushtarake brenda Rusisë, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

David Cameron, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, ka qenë më pak specifik, duke thënë thjesht se i takon Ukrainës të vendosë se si do të përdorë armët britanike, të tilla si raketat e Storm Shadow.

Duke folur në kushte anonimiteti, burimi ushtarak tha: “Një mision i Forcave Ajrore të Ukrainës (UAF) ka goditur një nyje komanduese ruse në Belgorod”.

Lexo po ashtu Ushtari ukrainas përdor Javelinin amerikan për ta hedhur në erë tankun rus

“Ndërsa vlerësimi i dëmit është ende duke ndodhur, ai konfirmohet si një goditje e drejtpërdrejtë. Ky është municioni i parë nga ajri kundër një objektivi brenda Rusisë”.

Siç raportohet, Ukraina ka nisur sulme të shumta me dronë thellë në territorin rus. Por përdorimi i një aeroplani luftarak për të goditur objektivat brenda Rusisë mund të shihet si një përshkallëzim i ri.

Ukraina synon gjithashtu edhe anijet ruse.

Burimi ushtarak ukrainas tha se forcat ukrainase kanë kryer një “sulm të koordinuar” kundër një anijeje ruse që së fundmi ishte zhvendosur në Detin Azov.

“Ky sulm i suksesshëm u tregon rusëve se ata nuk mund të veprojnë me liri as në Detin e Zi dhe as në lindje”, shtoi burimi.

Ndryshe, detajet e sulmeve të fundit ukrainase vijnë pasi një senator amerikan dhe një zyrtar perëndimor, raportuan se Ukraina kishte përdorur armë amerikane për të sulmuar brenda Rusisë. /Telegrafi/

Exit mobile version