Telegrafi

Ukraina sjell në shtëpi 130 ushtarakë në shkëmbimin e fundit të të burgosurve me rusët

Njëqindetridhjetë të burgosur lufte ukrainas janë liruar dhe janë kthyer në shtëpi në një “shkëmbim të madh të Pashkëve”.

Kështu ka bërë të ditur një zyrtar i lartë presidencial ukrainas të dielën, ditën e Pashkëve Ortodokse, përcjell Telegrafi.

Forcat ukrainase dhe ruse kanë bërë shkëmbime të rregullta të të burgosurve që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, tashmë në muajin e 14-të.

“Ne po kthejmë 130 nga njerëzit tanë. Ai (shkëmbim) ka ndodhur në disa faza gjatë ditëve të fundit”, ka theksuar shefi i stafit të presidentit Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Nuk ishte e qartë se sa rusë u kthyen në drejtim të kundërt.

Yermak tha se ata që u kthyen në shtëpi përfshinin ushtarakë, roje kufitare, anëtarë të gardës kombëtare, marinarë dhe punonjës të rojës shtetërore të kufirit. /Telegrafi/