Site icon Telegrafi

Ukraina shënon Ditën e Pavarësisë, gjashtë muaj nga agresioni rus – rritet frika për sulme të reja

Ukrainasit sot do të shënojnë 31-vjetorin që kur u çliruan nga Bashkimi Sovjetik, dhe njëherit do të shënojnë ditën e Pavarësisë.

Pikërisht në këtë ditë shënohet edhe gjashtë mujori që kur forcat ruse filluan pushtimin e vendit, dhe kjo festë po pritet me frikë për kërcënime të reja nga toka, ajri dhe uji, transmeton Telegrafi.

E si preventivë, autoritetet e atjeshme kanë ndaluar tubimet në Kiev, dhe turmat assesi nuk lejohen të krijohen në veçanti në Kharkiv në lindje të vendit ku po vazhdojnë luftimet e ashpra.

Në anën tjetër qeveria e këtij vendi ka hapur një lloj ekspozite në kryeqytetin ukrainas, ku shihen tanket dhe mjetet e tjera të blinduara të Rusisë që janë shkatërruar apo sekuestruar gjatë luftimeve.

Lexo po ashtu Erdogan: Krimea është pjesë e Ukrainës

Të martën mbrëma, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, paralajmëroi për mundësinë e “provokimeve nga ana e Rusisë”.

“Do të luftojmë kundër kërcënimit më të tmerrshëm, në kohën kur kemi arritur kulmin e unitetit të kombit tonë”, shtoi Zelensky.

Ushtria e këtij vendi gjithashtu i ka bërë thirrje qytetarëve që t’i marrin më seriozisht kërcënimet për sulme ajrore, në rast se aktivizohen sirena që e paralajmërojnë një gjë të tillë.

“Okupatorët rusë po vazhdojnë të kryejnë sulme ajrore mbi objektet civile në territorin e Ukrainës. Mos i injoroni sirenat në rast se aktivizohen, ato vërtetë paralajmërojnë sulmet ajrore”, thuhet në kumtesën e shtabit të përgjithshëm të ukrainasve. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version