Site icon Telegrafi

Ukraina rrëzoi gati 90 dronë të prodhuar nga Irani në vetëm dy ditë – dhe këto nuk janë humbjet e vetme të Rusisë

Ukraina rrëzoi 89 dronë “kamikazë” të prodhuar nga Irani, të njohur gjithashtu si Shahed-136, brenda dy ditësh, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Kanë kaluar vetëm dy ditë që nga fillimi i vitit dhe numri i dronëve iranianë të rrëzuar mbi Ukrainë është tashmë më shumë se 80”, ka thënë Zelensky në një fjalim të hënën, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Madje, sipas tij, “ky numër mund të rritet në të ardhmen e afërt”.

Përdorimi nga Rusia i dronëve të prodhuar nga Irani, që numëron në qindra, tregon se vendi i është drejtuar ndihmës së jashtme ndërsa përpiqet të arrijë përparim në luftën në Ukrainë.

Ndërkohë Rusia thuhet se po planifikon të ngrejë një fabrikë të re dronesh brenda kufijve të saj për të prodhuar armë duke përdorur dizajnet iraniane.

Vetëm të shtunën, forcat ukrainase rrëzuan 45 dronë të gjuajtur nga Rusia, tha Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës.

“Në vend të fishekzjarrëve të Vitit të Ri. Rusia lëshoi 45 dronë kamikazë të prodhuar nga Irani në Ukrainë gjatë natës së Vitit të Ri. Të gjithë u rrëzuan”, kishte shkruar Ministria të dielën në Twitter.

Ndërsa të hënën, Ministria lëshoi një përditësim duke thënë se 44 dronë të tjerë u rrëzuan nga forcat ukrainase.

Në përditësimin, ministria përmblodhi gjithashtu humbjet e Rusisë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Këto humbje ruse përfshijnë rreth 108,000 ushtarë të vdekur, mbi 2,000 njësi artilerie dhe 1,880 dronë që Ukraina i rrëzoi.

Ushtria ukrainase tha gjithashtu më herët se rreth 400 ushtarë rusë u vranë dhe 300 të tjerë u plagosën në një sulm të nisur mesnatën e së dielës në një shkollë profesionale në Makiivka që kishte rekrut rusë. /Telegrafi/

Exit mobile version