Forcat e Armatosura të Ukrainës thonë se kanë eliminuar rreth 395,200 forca pushtuese ruse në Ukrainë që nga 24 shkurti i vitit 2022 deri më 11 shkurt 2024, duke përfshirë 930 pushtues vetëm gjatë ditës së kaluar.
Këtë e tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në një postim në Facebook, sipas Ukrinform, përcjell Telegrafi.
Siç thuhet më tej, mbrojtësit ukrainas kanë shkatërruar gjithashtu 6,406 tanke armike (+12 ditën e kaluar), 11,956 automjete të blinduara luftarake (+14), 9,475 sisteme artilerie (+16), 981 sisteme raketash të shumëfishta, 666 sisteme të mbrojtjes ajrore, 332 avionë, 325 helikopterë, 7,257 mjete ajrore pa pilot (22) – dhe jo vetëm kaq.
Siç raporton Ukrinform, gjatë ditës së kaluar, raketat ukrainase goditën tri grupime të ushtarëve rusë, armëve dhe pajisjeve ushtarake, një postë komandimi, si dhe dy njësi artilerie.
Këto të dhëna vijnë në kohën kur Ukraina tha se forcat ruse në territoret e pushtuara po përdorin terminalet e shërbimit të internetit satelitor Starlink të Elon Musk, duke publikuar atë që pretendon se është një përgjim i një shkëmbimi midis dy ushtarëve rusë si dëshmi e përdorimit “sistematik” të tij.
Sistemet Starlink ishin jetike për komunikimet në fushëbetejën ukrainase gjatë pushtimit gati dyvjeçar rus, pasi Kievi u përball me një ushtri më të madhe dhe më të pajisur. /Telegrafi/