Sekretari i amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se pret të shohë Ukrainën të kryejë një ofensivë në pranverë.
Ai këtë e deklaroi gjatë një takimi të radhës të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, raporton cnn.
“Ajo që Ukraina dëshiron të bëjë në momentin e parë të mundshëm është të krijojë kushte në fushëbetejë që janë në favor të saj”, tha zyrtari amerikan në një konferencë shtypi në Bruksel.
“Por siç thashë muajin e kaluar në Ramstein, kjo nuk ka të bëjë me një aftësi të vetme. Ka të bëjë me ofrimin e të gjitha aftësive që premtojmë. Ka të bëjë me integrimin e të gjitha këtyre sistemeve së bashku”, deklaroi Austin.
Ai gjithashtu thotë se trajnimi i trupave ukrainase “mbetet kyç” për t’i lejuar ata të mbizotërojnë në luftë.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt duke shkaktuar viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/