Telegrafi

Ukraina me plan të ri për problemin e energjisë dhe ngrohjes

Qeveria ukrainase të martën premtoi se do të ndërtojë strehimore me ngrohje, ujë dhe energji elektrike – duke i bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë gjatë sulmeve të pamëshirshme ruse, që kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën energjetike këtë dimër.

“Qendra speciale” do të ngrihen në të gjithë Ukrainën për të ofruar energji elektrike, ngrohje, ujë, internet, lidhje celulare dhe ilaçe falas 24 orë në ditë”, tha presidenti Volodymyr Zelensky në adresimin e tij më të fundit, transmeton Telegrafi.

Sulmet ruse ndërprenë furnizimin me energji elektrike për një kohë të gjatë, ku mbi 10 milionë konsumatorë mbetën në terr. Operatori kombëtar i rrjetit elektrik të Ukrainës, tha të martën se dëmi ishte kolosal.

“Nëse sulmet masive ruse përsëriten është e qartë se energjia nuk do të rikthehet për disa orë, ‘qendrat’ do të hyjnë në veprim me të gjitha shërbimet kryesore”, tha Zelensky.

Autoritetet kanë paralajmëruar për ndërprerjet e energjisë elektrike, që mund të prekin miliona njerëz deri në fund të marsit – pasojat e fundit nga pushtimi 9-mujor i Rusisë që tashmë ka vrarë dhjetëra mijëra, zhvendosur miliona dhe ka shkatërruar ekonominë globale, raporton Reuters.

Sulmet e Rusisë ndaj objekteve energjetike të Ukrainës pasojnë një seri pengesash në fushëbetejë, që kanë përfshirë tërheqjen e forcave të saj nga qyteti jugor Kherson në bregun lindor të lumit Dnieper. /Telegrafi/