Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se nisja e transmetimit të energjisë në Rumani ishte fillimi i një procesi që mund të ndihmojë Evropën të reduktojë varësinë e saj nga hidrokarburet ruse.
Komentet e Zelenskyt në video-mesazhin e tij të natës të enjten pasuan një njoftim nga kryeministri, Denys Shmyhal, se eksportet kishin filluar më herët gjatë ditës – me një vëllim prej 100 megavat – katër muaj pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Presidenti tha se fillimi i eksporteve ishte “një tjetër hap i rëndësishëm në lëvizjen tonë drejt Bashkimit Evropian”, raporton bbc.
“Falë energjisë elektrike të Ukrainës, një pjesë e konsiderueshme e gazit rus të përdorur nga konsumatorët evropianë mund të zëvendësohet. Prandaj, kjo nuk është vetëm një çështje e të ardhurave nga eksporti për ne, por një çështje sigurie për të gjithë Evropën”, pohoi ai.
“Më lejoni t’ju kujtoj se lidhja e vendit tonë me sistemin e përbashkët energjetik të BE-së u bë tashmë pas fillimit të luftës. Ukraina po bën gjëra tani që dikur dukeshin të pamundura”, shtoi i pari i shtetit ukrainas.
Ukraina arriti marrëveshje në mes të muajit mars për t’u bashkuar me Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit (Entso-E) si vëzhgues pasi rrjeti i saj ishte i lidhur me atë të BE-së.
Entso-E njoftoi këtë javë se përgatitjet kishin përfunduar për eksportet e para nga Ukraina, së bashku me energjinë nga ish-shteti sovjetik Moldavia, duke filluar nga 30 qershor – duke përdorur një ndërlidhje me Rumaninë.
Tregtimi i energjisë elektrike në ndërlidhje të tjera midis Ukrainës dhe Sllovakisë dhe Ukrainës dhe Hungarisë – si dhe midis Moldavisë dhe Rumanisë do të pasonte së shpejti, tha ai.
Grupi tha se kapaciteti i përgjithshëm tregtar do të vendoset fillimisht në 100 MW në fazën e parë.
Në njoftimin e mëparshëm, Shmyhal tha se potenciali i eksportit të energjisë elektrike të Ukrainës drejt Evropës mund të arrijë në 2.5 gigavat. /Telegrafi/