Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë gjermane të mbrojtjes Diehl Defence, prodhuese e sistemit të mbrojtjes ajrore IRIS-T, për të trefishuar furnizimin e këtyre sistemeve dhe raketave të tyre.
Ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov e njoftoi marrëveshjen në Facebook, përcjell Telegrafi.
“Ne kemi nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Diehl Defence, prodhuesi i sistemit IRIS-T, i cili është një pjesë thelbësore e mburojës së mbrojtjes ajrore të Ukrainës”, tha Umerov.
Ai shtoi gjithashtu se “mbrojtja e qiejve dhe qyteteve të Ukrainës është prioriteti ynë”.
Sipas Umerov, marrëveshja e nënshkruar hap rrugën për projekte të mëdha industriale që do të rrisin aftësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
Memorandumi parashikon gjithashtu një rritje të trefishtë të furnizimit me raketa dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.
Ministri shprehu mirënjohje për Diehl Defense për besimin dhe gatishmërinë për bashkëpunim.
“Është e rëndësishme që kompanitë kryesore të mbrojtjes globale po ndërmarrin hapa drejt Ukrainës. Bota e lirë qëndron me ne dhe së bashku po krijojmë mundësi të reja për të forcuar mbrojtjen tonë”, tha Umerov.
Ai gjithashtu shtoi: “Ne vazhdojmë të zhvillojmë industrinë e mbrojtjes së Ukrainës dhe ta integrojmë atë në ekosistemin evropian”. /Telegrafi/