Telegrafi

Ukraina mashtron forcat ruse duke përdorur ‘modele të rreme të objektivave ushtarake’

Forcat ajrore të Ukrainës pretendojnë se kanë mashtruar forcat ruse të cilat kanë goditur versione të rreme të aeroplanëve luftarakë ukrainas dhe versione të rreme të mbrojtjes ajrore.

Komandanti i Forcave Ajrore, Mykola Oleshchuk, tha se modelet e rreme u vendosën në një aeroport pranë qytetit qendror të Ukrainës, Kryvyi Rih, dhe një lagje të Odesës.

Ai ndau edhe pamje të filmuara nga një dron, i cili tha se tregojnë raketat ruse Iskander duke sulmuar modelet.

Ministria ruse e Mbrojtjes kishte shpërndarë pamje të ngjashme duke thënë se ushtria ruse ka përdorur raketa Iskander për të shkatërruar një aeroplan luftarak ukrainas Mig-29 në aeroportin Dovhyntseve, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

“Faleminderit të gjithë atyre që ndihmuan me modelet me cilësi të lartë të aeroplanëve dhe sistemeve SAM. Armiku tani ka më pak raketa Iskander”, tha Oleschchuk.

“Sigurisht, si ne ashtu edhe armiku kemi humbje në pajisje dhe njerëz. Por asnjëra palë nuk flet për këtë publikisht. Është e qartë pse”, shtoi ai.

Bëhet e ditur se Ukraina rrallë ndan informacione të tilla, por komandanti tha se kësaj here ka përjashtime “për t’i treguar njerëzve se jo gjithçka është siç duket”.

Ndryshe, së fundmi sulmet ruse lanë më shumë se 100 mijë familje pa energji në rajonin Sumy të Ukrainës.

Ministria e Energjisë e Ukrainës tha se infrastruktura ishte dëmtuar nga sulmet dhe gjithashtu ato kishin ndërprerë furnizimin me ujë. /Telegrafi/