Telegrafi

Ukraina konfirmon se Rusia pushtoi qytetin lindor Lysychansk

Rusia ka marrë kontrollin e Lysychansk, qyteti i fundit në rajonin e Luhansk në Ukrainën lindore që ishte ende nën kontrollin ukrainas.

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, i raportoi presidentit Vladimir Putin se ushtria kishte pushtuar Lysychansk dhe një numër vendbanimesh aty pranë të dielën, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të vendit.

Dhe ushtria e Ukrainës njoftoi të dielën se ishte “detyruar të tërhiqej” nga qyteti kritik.

Luhansk është një nga dy rajonet që formojnë Donbasin, pjesa lindore e Ukrainës ku filloi konflikti midis Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në vitin 2014.

Zona është bërë qendra kryesore e ambicies ushtarake të Putinit në Ukrainë pasi trupat e tij nuk arritën të merrnin kontrollin e Kievit në fillim të këtij viti.

Kështu, vlerëson CNN, rënia e Lysychansk e zhvendos Rusinë më afër arritjes së qëllimit për të marrë nën kontroll Donbasin.

“Pas luftimeve të rënda për Lysychansk, Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës u detyruan të tërhiqen nga pozicionet dhe linjat e tyre të okupuara”, tha të dielën në Twitter Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Njoftimin shoqëronte një foto ku shkruhej: “Lysychansk: Do të kthehemi”.

Një postim në Facebook nga ushtria ukrainase përmendte gjithashtu epërsinë ruse në armë, municione dhe personel në betejën për qytetin. /Telegrafi/