Telegrafi

Ukraina konfirmon se forcat e Wagner po tërhiqen nga Bakhmuti

Derisa është raportuar se grupi ushtarak privat rus Wagner po tërhiqet nga Bakhmut, një konfirmim ka ardhur edhe nga Kievi.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, thotë se inteligjenca sugjeron se trupat nga forcat e armatosura ruse po zëvendësojnë tani trupat e Wagner.

Komentet e saj duket se – të paktën pjesërisht – konfirmojnë një njoftim nga themeluesi i Wagner Yevgeny Prigozhin se grupi i tij kishte filluar të tërhiqej nga qyteti lindor i Ukrainës.

Lexo po ashtu Aksioni në Belgorod: Kush janë luftëtarët që depërtuan në Rusi nga Ukraina?

Wagner ka qenë shumë i përfshirë në luftimet për Bakhmutin, i cili ka qenë në qendër të një prej betejave më të gjata dhe më të përgjakshme në luftë deri më tani.

“Në rrethinat e Bakhmutit, armiku ka zëvendësuar njësitë Wagner me forca të rregullta të ushtrisë”.

“Brenda vetë qytetit, mbeten luftëtarët e Wagner”, shkroi Maliar në komentet në aplikacionin Telegram.

Prigozhin tha në një video se tërheqja e njësive të tij kishte filluar herët të enjten dhe se një dorëzim i pozicioneve të Wagner do të vazhdonte deri më 1 qershor. /Telegrafi/