Ukraina i ka kërkuar Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) që të mos hapë një zyrë të planifikuar në Rusinë jugore, duke thënë se kjo do të legjitimonte “korridoret humanitare” të Moskës dhe rrëmbimet e dëbimet e detyruara të ukrainasve.
Më herët, mediat ruse raportuan se kreu i Kryqit të Kuq i kishte kërkuar Rusisë që të lehtësonte hapjen e një zyre të Kryqit të Kuq në Rostov-on-Don, ku janë ngritur kampe të përkohshme strehimi nga Rusia për njerëzit e transportuar nga Ukraina, raporton bbc.
Iryna Vereshchuk, zyrtarja e lartë humanitare e Ukrainës, e cila thotë se Rusia ka krijuar korridoret e rreme të sigurta, thotë se Kryqi i Kuq po “përdoret” nga rusët.
Por KNKK i ka thënë reuters se nuk ka informacion “të dorës së parë” në lidhje me raportet e evakuimeve të detyruara në Rusi nga Ukraina dhe se nuk lehtëson ndonjë operacion të tillë.
Ai thotë se përparësia e tij “është të arrijë viktimat e konfliktit të armatosur, kudo që ato ndodhen, për t’i ndihmuar ato”. /Telegrafi/