Site icon Telegrafi

Ukraina ka pranuar një grup të antenave Starlink, thotë zyrtari ukrainas

Ukraina ka pranuar një grup të antenave Starlink që janë blerë me ndihmën e Polonisë ka deklaruar zëvendës-kryeministri ukrainas dhe njëherësh ministër i Transformimit Digjital, Mykhailo Fedorov.

“Sot ne morëm një nga dërgesat më të mëdha të Starlink gjatë pushtimit në shkallë të plotë. Ky është vetëm grupi i parë. Gjatë javëve të ardhshme do të marrim edhe më shumë Starlinks”, ka deklaruar ai në një postim në Twitter, transmeton Telegrafi.

“Dua të falënderoj kolegët tanë polakë, të cilët ndihmuan në blerjen e këtyre Starlinks. Faleminderit Kryeministrit të Polonisë, Mateusz Morawiecki. Faleminderit kolegut tim dixhital Janusz Cieszynski. Dhe gjithashtu dua të falënderoj Institutin Kombëtar të Telekomunikacionit të Polonisë dhe Kompaninë Orlen. Ju faleminderit të gjithëve. Kjo është një nga dërgesat më të mëdha në përgjithësi prej 10 muajsh”, u shpreh ai.

Starlink është shërbim interneti satelitor në kuadër të kompanisë SpaceX e cila është në pronësi të miliarderit Elon Musk.

“Këto Starlinks do të mbështesin pikat e pathyeshmërisë për të siguruar komunikim të vazhdueshëm për të gjithë qytetarët e Ukrainës gjatë ndërprerjeve të energjisë elektrike”, u shpreh tutje zyrtari ukrainas.

“Dhe së dyti, ne do të ndihmojmë infrastrukturën energjetike, infrastrukturën mjekësore, sektorin civil. Jam mirënjohës që kemi mundësinë të përdorim komunikimet satelitore, tani gjatë një lufte në shkallë të gjerë”. /Telegrafi/

Exit mobile version