Site icon Telegrafi

Ukraina i frikësohet “përsëritjes së Mariupolit” ndërsa forcat ruse përshkallëzojnë sulmet në Donbas

Përparimi i forcave ruse në rajonin industrial të Donbasit të Ukrainës lindore ka ngjallur frikën se qytetet në rajon do të pësonin të njëjtat tmerre që u shkaktuan njerëzve të Mariupolit në javët para rënies së tij.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, luftimet të premten u përqendruan në dy qytete kryesore – Sievierodonetsk dhe Lysychansk aty pranë – zonat e fundit nën kontrollin ukrainas në Luhansk, një nga dy provincat që përbëjnë Donbasin, ku separatistët e mbështetur nga Rusia kanë kontrolluar tashmë disa territore për tetë vjet.

Autoritetet thonë se 1,500 njerëz në Sievierodonetsk kanë vdekur tashmë që nga fillimi i agresionit rus tre muaj më parë.

Rebelët e mbështetur nga Rusia thanë gjithashtu se kishin marrë qendrën hekurudhore të Lyman.

Ndërkohë guvernatori i Luhansk paralajmëroi se ushtarët ukrainas mund të duhet të tërhiqen nga Sievierodonetsk për të shmangur rrethimin.

Por guvernatori rajonal Sergiy Haidai parashikoi një fitore përfundimtare të Ukrainës.

“Rusët nuk do të jenë në gjendje të marrin rajonin e Luhanskut në ditët në vijim, siç parashikojnë analistët”, shkroi Haidai në Telegram të premten. “Ne do të kemi forca dhe mjete të mjaftueshme për të mbrojtur veten”.

Lexo po ashtu Zelensky premton se Donbasi do të jetë "përsëri ukrainas"

Në anën tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjithashtu pati një ton sfidues në fjalimin e tij të natës me video të premten.

“Nëse pushtuesit mendojnë se Lyman ose Sievierodonetsk do të jenë të tyret, ata e kanë gabim”, tha ai. “Donbasi do të jetë ukrainas”.

Sievierodonetsk vuan bombardimet që të kujtojnë Mariupolin

Kryetari i Bashkisë së Sievierodonetsk, Oleksandr Striuk e përshkroi gjendjen në qytet, të tillë që të kujtojnë betejën për Mariupolin, duke thënë se “qyteti po shkatërrohet sistematikisht – 90% e ndërtesave në qytet janë dëmtuar”.

Tani në gërmadha, qyteti port u sulmua vazhdimisht nga forcat ruse në një rrethim gati tre-mujor që përfundoi javën e kaluar kur Rusia pretendoi marrjen e tij.

Si pasojë, më shumë se 20,000 civilë të saj dyshohet se kanë vdekur.

Para luftës, Sievierodonetsk ishte vendbanimi i rreth 100,000 njerëzve. Rreth 12,000 deri në 13,000 mbeten në qytet, tha Striuk, të grumbulluar në strehimore dhe kryesisht të shkëputur nga pjesa tjetër e Ukrainës. /Telegrafi/

Exit mobile version