Ekipet e shpëtimit janë ende duke kërkuar nën rrënojat e një pallati të goditur nga një raketë gjatë fundjavës në Ukrainë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, disa njerëz – përfshirë një fëmijë – dyshohet se janë bllokuar nën mbetjet e ndërtesës në Chasiv Yar (në provincën Donetsk), në Ukrainën lindore.
Një vinç u përdor për të ngritur një pllakë betoni dhe shpëtimtarët gërmuan me duar ndërsa banorët e trullosur merrnin sendet e tyre personale.
Shefi i shtabit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak pretendoi se ishte “një tjetër sulm terrorist”.
Një banore e zonës, e cila tha se ka emrin Ludmila, tha: “Ne vrapuam në bodrum, pati tre goditje, e para diku në kuzhinë”.
“E dyta, as që më kujtohet, ishte rrufe, vrapuam drejt hyrjes së dytë dhe pastaj drejt në bodrum. Aty u qëndruam gjithë natën deri në mëngjes”.
Një tjetër e mbijetuar, Venera, tha se ishte përpjekur më kot të shpëtonte dy kotelet e saj.
“Në kohën kur dola nga banjo, dhoma ishte plot me rrënoja, tre kate u rrëzuan. Unë kurrë nuk i gjeta kotelet nën rrënoja”. /Telegrafi/