Site icon Telegrafi

Ukraina dhe SHBA-ja thonë se shpërthimi i automjetit në qytetin e kontrolluar nga separatistët ishte inskenuar

Zyrtarët ukrainas dhe amerikanë thanë se një shpërthim automjeti në një bastion separatist të mbështetur nga Rusia ishte një sulm i inskenuar për të nxitur tensionet në Ukrainën lindore.

Video nga qyteti i Donetskut në Ukrainën lindore tregoi një zjarr në një parking dhe një automjet ushtarak të shkatërruar rëndë, pranë selisë së Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut (DPR) – një nga zonat e vendit të kontrolluara nga separatistët të mbështetur nga Rusia.

Një kanal zyrtar i DPR-s tha se “rreth orës 19:00 është hedhur në erë një makinë në parkingun pranë ndërtesës së Qeverisë. Vala e shpërthimit është dëgjuar nga i gjithë qyteti. Ministria e Emergjencave ka shkuar në vendin e shpërthimit”.

Imazhet dhe videot treguan shërbimet e urgjencës në vendngjarje dhe një automjet të dëmtuar rëndë të identifikuar nga CNN si një xhip i prodhimit rus. Nuk ka asnjë mënyrë për të verifikuar se çfarë e shkaktoi dëmin në automjet apo zjarrin.

“Ne mendojmë se ky është një inskenim dhe një provokim”, tha për CNN, Anton Gerashchenko, këshilltar i ministrit të Brendshëm të Ukrainës.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit e përshkroi atë si “sulm të sajuar”. /Telegrafi/

Exit mobile version