Site icon Telegrafi

Ukraina dhe Kosova në axhendën e ministrave të NATO-s, David Cameron sot qëndron në Bruksel për herë të parë që nga Brexit

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, do të jetë sot në Bruksel, për herë të parë që nga fushata e tij e  dështuar që Britania të mbetet në Bashkimin Evropian, shkruan Guardian.

Cameron, ish-kryeministër i cili u kthye në politikë në fillim të këtij muaji kur u bë Sekretar i Jashtëm i Britanisë, do të marrë pjesë në një takim të ministrave të Jashtëm të NATO-s, për të diskutuar çështjet duke përfshirë furnizimin me municion në Ukrainë dhe praninë e vazhdueshme të NATO-s në Kosovë.

Gjithashtu pritet një takim i mundshëm me Marosh Shefçoviçin, nënkryetarin e Komisionit Evropian përgjegjës për marrëveshjet e Brexit, transmeton Telegrafi.

Duke iu referuar negociatave shumëvjeçare për daljen e Britanisë së Madhe nga BE në vitin 2020, një diplomat e krahasoi vizitën e Cameron në selinë e BE-së me një bashkëshort të divorcuar që “kthehej në shtëpinë e familjes”.

Por megjithëse historia e tij me Brukselin ka pasur komplikimet e saj, kthimi i Cameron në politikë pas riorganizimit të kryer nga Rishi Sunak shkaktoi një ndjenjë të veçantë në tryezën e NATO-s, sipas Guardian.

Cameron pritet të informojë ministrat e Jashtëm të NATO-s për udhëtimin e tij të fundit në Kiev, ndërsa diskuton implikimet e kthimit të mundshëm të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të hënën se aleatët perëndimorë nuk kanë alternativë veçse të vazhdojnë të mbështesin luftën e Ukrainës kundër Rusisë, përballë dyshimeve për mbështetjen e SHBA-së për Kievin.

“Ndodh shumë shpesh në luftëra kur njerëzit kuptojnë se kjo mund të zgjasë shumë, natyrisht, është kërkuese, është e vështirë”, tha Stoltenberg.

“Nuk kemi alternativë. Alternativa për ta lënë Putinin të fitojë është një tragjedi për Ukrainën dhe e rrezikshme për ne”, shtoi ai.

“SHBA ka dhënë më shumë se 70 miliardë dollarë për Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë, kontribuesi i dytë më i madh pas BE-së, i cili dha rreth 100 miliardë euro”, tha James O’Brien, ndihmës sekretari amerikan për çështjet evropiane dhe çështjet euroaziatike, në një konferencë të posaçme për shtyp. /Telegrafi/

Exit mobile version