Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje liderëve të NATO-s që të ndërmarrin hapa konkretë për të lejuar anëtarësimin e Ukrainës në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë.
“Po flasim për një sinjal të qartë, për disa gjëra konkrete në drejtim të një ftese”, tha Zelensky gjatë një vizite në Republikën Çeke.
“Ne kemi nevojë për këtë motivim. Ne kemi nevojë për ndershmëri në marrëdhëniet tona”, shtoi ai, raporton skynews.
Lideri ukrainas ka bërë presion mbi anëtarët e NATO-s përpara një samiti në Lituani javën e ardhshme, duke rritur thirrjet për më shumë mbështetje dhe një plan të qartë për ta sjellë Ukrainën më afër aleancës.
Udhëheqësit e NATO-s do të mblidhen të martën dhe të mërkurën në një samit në Vilnius.
Ndryshe, zyrtarët e aleancës ushtarake kanë thënë disa herë se ukrainasit nuk mund të bëhen anëtarë pa përfunduar luftën me Rusinë. /Telegrafi/