Ukraina ka kërkuar t’i jepet “qasje” në vendin ku ka ndodhur shpërthimi i raketave në Poloni, dhe se është e gatshme t’i japë partnerëve të saj prova për “gjurmë ruse”, ka bërë të ditur Sekretari i Këshillit për Siguri i Ukrainës.
Oleksiy Danilov, Sekretar i Këshillit për Siguri dhe Mbrojtje të Ukrainës, tha se vendi i tij dëshiron të jetë bashkëpjesëmarrës në studimin e provave të bombave që kanë rënë në Poloni, duke kërkuar të kenë qasje në vendin ku ndodhi shpërthimi, transmeton Telegrafi.
Vendi ku ndodhi shpërthimi është një fshat i quajtur Przeëodow që gjendet vetëm gjashtë kilometra në perëndim përgjatë kufirit me Ukrainën.
Gjetjet e para sugjeronin se raketat që kishin rënë në Poloni, vend anëtar i NATO-s, ishin shkrepur nga forcat ukrainase duke tentuar të rrëzojnë një raketë ruse që kishte për objektiv infrastrukturën e tyre energjetike.
E Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tha se shpërthimi me gjasë është shkaktuar nga mbrojtja ajrore ukrainase, por se përfundimisht Rusia është përgjegjëse pasi që filloi këtë luftë ilegale në Ukrainë.
Në anën tjetër, Polonia ka sinjalizuar se nuk do të aktivizojë Nenin 4 të NATO-s, pasi nuk po e sheh si të nevojshme këtë masë. /Telegrafi/