Ukraina planifikon të mbështesë Gjermaninë në përpjekjet e saj për t’i dhënë fund varësisë nga importet ruse të energjisë dhe për t’i ofruar ndihmë ekonomisë më të madhe evropiane në lidhje me energjinë elektrike.
“Ukraina eksporton aktualisht energjinë e saj elektrike në Moldavi, Rumani, Sllovaki dhe Poloni. Ne jemi mjaft të gatshëm të zgjerojmë eksportet tona në Gjermani”, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal.
“Ne kemi mjaftueshëm energji elektrike në Ukrainë falë termocentraleve tona bërthamore”, tha Shmyhal, duke shtuar se ai do ta ngrinte këtë çështje gjatë vizitës në Gjermani këtë fundjavë.
Ai duhet të vijë në Berlin gjatë ditës së sotme apo nesër dhe do të takohet me kancelarin Olaf Scholz.
Në mes të muajit mars, Ukraina sinkronizoi rrjetin e saj të energjisë me rrjetin evropian. Që atëherë, Kievi ka eksportuar midis 400 dhe 700 megavat energji elektrike në ditë në Bashkimin Evropian dhe Moldavi. Shmyhal tani dëshiron të rrisë kuotat e eksportit për BE-në. “Kjo do të ishte shumë mirë për të dyja palët. BE-ja do të merrte më shumë energji dhe ne do të merrnim valutë të huaj, për të cilën kemi shumë nevojë”, tha kryeministri ukrainas.
Konsumi i energjisë elektrike në Ukrainë ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i pushtimit rus për shkak të eksodit masiv të popullsisë dhe krizës ekonomike. Kjo liroi hapësirë për eksportet e energjisë elektrike të Ukrainës. Gjashtë reaktorë në termocentralin bërthamor Zaporizhia në Enerhodar kanë qenë nën kontrollin rus që nga marsi.
Komuniteti ndërkombëtar ka frikë se bombardimet pranë termocentralit më të madh bërthamor në Evropë mund të çojnë në një katastrofë bërthamore. /Telegrafi/