Rusia nuk ka të ndalur në tentimet e saj për të destabilizuar Ukrainën dhe duket se nuk i ka mjaftuar aneksimi i Krimesë.
Ajo çdo herë e më shumë po e dëshmon faktin se për qëllime të saja, në vende të ndryshme të botës, po shfrytëzon ideologji të ndryshme, varësisht nga orientimi i interesave të saja.
Nëpër media të huaja vazhdimisht është raportuar se Rusia është duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për lëvizjet e ekstremit të majtë dhe neo-nazistët, e cila duket se është duke tentuar të përfitoj nga të dy ideologjitë.
Nuk ka shumë kohë që në mediet e huaja është raportuar se, ekstremistët militantë të krahut të djathtë (neo-nazist) janë duke realizuar trajnime ushtarake në Rusi, ndërsa sot, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ka publikuar një lajm, në të cilin thuhet se ka ekspozuar dhe arrestuar një grup neo-nazistësh të udhëhequr nga një shtetas rus në Ukrainë.
Sipas hetimeve paraprake, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, në të njëjtin publikim, thekson se anëtarët e grupit të arrestuar janë ndjekës të ideologjisë së terroristit australian Brenton Tarrant, të cilët kanë promovuar gjenocidin etnik dhe kulturor, kanë bërë thirrje për sulme terroriste dhe vrasje masive.
Për të promovuar pikëpamjet e tyre, anëtarët e këtij grupi ishin të angazhuar në prodhimin dhe shpërndarjen e literaturës ekstremiste, të cilat i shtypën në një shtypshkronjë nëntokësore në Ukrainë, ndërsa gjatë bastisjes janë konfiskuar më shumë se 300 kopje të botimeve naziste, armë, municion, eksploziv dhe pajisje të teknologjisë informative.
Autori i sulmit terrorist në Zelandën e Re, Brenton Tarrant, ishte edhe një admirues i nacionalistëve dhe figurave historike serbe, si dhe para kryerjes së aktit terrorist, në videon e publikuar nga vetë ai, ka qenë duke dëgjuar muzikë nacionaliste serbe kushtuar Radovan Karaxhiq. /Telegrafi/