Site icon Telegrafi

UEFA-s i vjen keq për kaosin në Paris, derisa Ceferin fajëson për gënjeshtra tifozët e Liverpoolit

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin tha se organit qeverisës i vjen tmerrësisht keq për kaosin që përfshiu finalen e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar – dhe fillimisht fajësoi mbështetësit e Liverpoolit për skenat shqetësuese jashtë Stade de France.

Javën e kaluar, shtëpia e futbollit evropian njoftoi se mbështetësve të The Reds do t’u rimbursohej kostoja e biletave të tyre pasi një raport i pavarur ia hodhi fajin UEFA-s dhe autoriteteve lokale.

Mijëra tifozë gjendeshin në një situatë të rrezikshme jashtë stadiumit përpara se Liverpooli të përballej me Real Madridin. Policia përdori gaz lotsjellës ndaj tifozëve të pafajshëm që nuk ishin në gjendje të hynin në stadium, ndërsa të rinjtë vendas u sollën dhunshëm dhe u përpoqën të hynin në stadium pa bileta.

Lexo po ashtu UEFA rimburson paratë për tifozët e Liverpool që blenë bileta për finalen e Ligës së Kampionëve 2022

“Më vjen keq për atë që ndodhi dhe ne do të sigurohemi që të mos ndodhë më, kjo është gjëja më e rëndësishme për mua”, deklaroi Ceferin në konferencë për media.

“Kur shkova në ndeshje, pata një takim me Mbretin e Spanjës dhe dikush erdhi dhe tha se ka një problem me disa hyrje me tifozët. Nuk e dinim sa serioze ishte atëherë, sepse UEFA nuk ka juridiksion jashtë stadiumit. Policia franceze nuk ka komunikuar me ne”.

“Më besoni, nuk ka asnjë person të vetëm në UEFA që nuk i vjen keq shumë dhe tema kryesore e bisedës është se si të sigurohemi që të mos ndodhë më. Falë Zotit, asgjë e tmerrshme nuk ndodhi”.

Lexo po ashtu Real Madridi refuzon të bashkëpunojë me UEFA-n për rimbursimin e biletave të blera për finalen e Ligës së Kampionëve

“Duhet të kemi një komunikim më të mirë me autoritetet lokale sepse në Londër (në finalen e Euro 2021) sërish nuk ishte UEFA ajo që duhet të mbronte jashtë stadiumit, ishte policia lokale dhe, padyshim, jo ​​me shumë sukses”.

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi dhe nuk do ta lejojmë të ndodhë më”, ka shtuar më tej presidenti i UEFA-s.

Ceferin vazhdoi duke thënë se deklarata fillestare e UEFA-s që fajësonte tifozët pa bileta për përplasjen jashtë fushës ishte “një gabim nga ana jonë”. /Telegrafi/

Exit mobile version