UEFA ka nisur hetime ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe Federatës Kroate të Futbollit (HNS) lidhur me fyerjet e mundshme raciste dhe diskriminuese të tifozëve në ndeshjen Kroaci – Shqipëri.
Pretendohet se ka pasur thirrje “vrite serbin” gjatë ndeshjes, ndërsa ka reaguar edhe federata serbe. UEFA do t’i hetojë këto pretendime.
Gjasat janë që të gjobiten si FSHF, po ashtu edhe federata kroate.
“Në përputhje me nenin 31(4) të Rregullave disiplinore të UEFA-s, një Inspektor i Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s është caktuar sot për të kryer një hetim mbi sjelljen e mundshme raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve që dyshohet se kanë ndodhur gjatë ndeshjes së fazës së grupeve të Kampionati Europian UEFA 2024 ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Federatës së Futbollit të Kroacisë (HNS) dhe Federatës së Futbollit të Shqipërisë (FSHF), luajtur më 19 qershor 2024 në Hamburg të Gjermanisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të UEFA-s.
Ndërkohë është hapur hetim edhe ndaj Mirlind Dakut, sulmuesit të Shqipërisë, i cili do të hetohet për “sjelljen e supozuar të papërshtatshme”.
Supozohet se Mirlind Daku mori altoparlantin pas ndeshjes dhe drejtoi fjalë të papërshtatshme drejt serbëve dhe maqedonasve.
Të enjten reagoi edhe Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut(FMN), ku tani Daku ka gjasa të mëdha të dënohet. /Telegrafi/