Juventusi dhe Barcelona janë dy gjigantë evropianë që kanë pasur skandale këtë sezon.
Klubi italian humbi 15 pikë në kampionat për shkak të mashtrimit financiar gjatë periudhës më të keqe të pandemisë së coronavirusit.
Mirëpo, ato pikë i janë kthyer me vendim të mëpasshëm të gjykatës, por ende nuk është e sigurt se do të mund t’i mbajë.
Nga ana tjetër, Barcelona është nën hetim për gjoja se ka ndikuar te gjyqtarët disa vite më parë. Klubi i pagoi 7.3 milionë euro një kompanie, pronari i së cilës ishte nënkryetari i komisionit të gjyqtarëve në Spanjë, Jose Maria Enriquez Negreira. Në fund të marsit, UEFA nisi një hetim.
Nën hetim
Barcelona dhe Juventusi duhet të luajnë në Ligën e Kampionëve vitin e ardhshëm. Skuadra e Xavit do të fitojë kampionatin spanjoll dhe Juventusi me 15 pikë të rikthyera pothuajse me siguri do të jetë në gjendje të kualifikohet në kompeticionin elitar evropian. Pyetja e vetme është nëse UEFA do t’i lejojë ata të konkurrojnë.
Siç thuhet në rregulloren që është e vlefshme që nga viti 2007, skuadrat e përfshira në trukime ndeshjesh mund të ndalohen të marrin pjesë në garat evropiane. Nëse hetimi i UEFA-s tregon se Barcelona ka ndikuar në gjyqtarë, klubit katalanas do t’i ndalohet të luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, si dhe dënime të tjera të shumta.
Një goditje e rëndë financiare do të ishte edhe për klubin, i cili dy vite më parë ishte në borxh rreth një miliardë e 300 milionë euro. Juventus është nën hetim për falsifikimin e raporteve financiare nga periudhat më të vështira të pandemisë së coronavirusit.
Askush nuk është përjashtuar ndonjëherë për këtë
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, një herë tha se ky është një nga rastet më të rënda të shkeljeve të ligjit në historinë e futbollit. Nëse hetimi përfundon para fillimit të sezonit të ardhshëm të Ligës së Kampionëve dhe Juventusi shpallet fajtor, UEFA mund t’i përjashtojë ata nga gara.
Lajmi i mirë për Juventusin dhe Barcelonën është se asnjëri nga klubet nuk është përjashtuar ende nga Liga e Kampionëve.
Të gjithë ata që ishin në rrezik u larguan kryesisht me gjoba. Më afër përjashtimit ishte Manchester City për shkak të mosrespektimit të ‘Fair Play-t Financiar’. /Telegrafi/