Çifti bashkëshortor Wesley Moribe dhe Courtney Peterson nga Havai janë arrestuar gjatë fundjavës së kaluar, pasi kishin tentuar të kthehen në shtëpi me aeroplan, duke e ditur se kishin rezultuar pozitiv në testin e COVID-19, shkruan CNN.
Së bashku me fëmijën e tyre ishin në San Francisco, dhe dëshironin që me aviokompaninë United Airlines të kthehen në Havai, transmeton Telegrafi.
Sipas një raporti preliminar, çiftit bashkëshortor nga shtabi i karantinimit në aeroport u është thënë të mos futen në aeroplan dhe të izolohen, ka bërë të ditur policia e Havait.
Të vetëdijshëm që janë të infektuar me coronavirus, dyshja ishin futur në aeroplan dhe ishin kërcënim për shëndetin e të gjithë pasagjerëve, thuhet ndër tjera në kumtesë.
Moribe, 41-vjeç dhe Peterson, 46, janë arrestuar me të zbritur në tokë – nën dyshimin se kanë shkelur ligjin për “rrezikim të shëndetit të tjerëve”, por janë liruar nga paraburgimi duke paguar nga njëmijë dollarë secili.
Fëmija i tyre ishte dërguar nën përkujdesin e autoriteteve kompetente e për të gjitha është informuar edhe Shërbimi për mbrojtjen e fëmijëve, megjithatë nuk dihet nëse fëmija ka kontaktuar me babanë dhe nënën. /Telegrafi/