I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka bërë sot të ditur se është nënshkruar kontrata ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit në veri.
Lajçak në një postim në X shkruan se e mirëpret nënshkrimin e kontratës dhe se kjo sipas tij është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë, raporton Telegrafi.
“E mirëpres nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever.
Ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë dhe në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Urime për të gjithë ata që e bënë të mundur!”, shkruan Lajçak.
I welcome today’s signature of the commercial contract between KEDS and Elektrosever. This is an important step in implementing the ??-facilitated Energy Roadmap and on the path to normalisation of relations between Kosovo and Serbia. Congratulations to all who made it possible!
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) December 9, 2023
Kohë më parë kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu kishte njoftuar se kanë përfunduar të gjitha obligimet sa i përket marrëveshjes me “ElektroSeveri” në veri të vendit, por shtoi se procesi ka ngecur te pika që ka të bëjë me nënshkrimin e kontratës komerciale me KEDS-in.
Ndërkaq, para disa javëve edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur për moszbatimin e udhërrëfyesit për energjinë, për të cilin Kosova e Serbia u pajtuan në qershor të vitit të kaluar.
Rizvanolli në një adresim për gazetarët pas mbledhjes së Qeverisë, kishte thënë se ka pasur sabotim dhe zvarritje nga ana e Serbisë për zbatimin e këtij udhërrëfyesi.
“Kemi pasur një udhërrëfyes vitin e kaluar me afat 100 ditësh, ne kemi thënë me at rast që pagesat e fundit që do të bëhen nga buxheti i Kosovës do të jenë ato deri në zbatimin e kësaj marrëveshje. Kemi pasur kërkesa të vazhdueshme nga KOSTT-i që nga ajo kohë por nuk kemi ndarë mjete shtesë si qeveri”, tha Rizvanolli.
Ministrja theksoi se si qeveri e kanë bërë të qartë për të gjitha palët se një mënyrë e tillë e funksionimit nuk mund të vazhdoj.
Ajo më tutje kishte thënë se e kanë bërë të qartë se versioni i fundit i kontratës i cili i është dërguar Elektrosever disa muaj më parë, është versioni i fundit i marrëveshjes që duhet të nënshkruhet nga ata.
Ndryshe, sipas këtij udhërrëfyesi parashihet që të fillojë faturimi i energjisë elektrike në komunat në veri të vendit.
Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia nënshkruan Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Më 24 qershor, kompania serbe Elektrosever, ishte licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), për furnizimin me rrymë të qytetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për faturimin e tyre.
Por, pala kosovare kishte thënë se kjo kompani nuk i kishte plotësuar kushtet e dala nga Udhërrëfyesi, që do t’i mundësonin operimin në tregun e Kosovës.
BE-ja kishte shprehur shqetësimin për ritmin e ngadalshëm të zbatimit të Udhërrëfyesit për energji, që kërcënonte edhe të dështonte plotësisht marrëveshjen. /Telegrafi/