Kancelari gjerman Olaf Scholz ka bërë thirrje për një “Plan Marshall” të ri për të rindërtuar Ukrainën.
Duke folur në një konferencë të Berlinit për rindërtimin e Ukrainës të martën, Scholz tha se sulmet e vazhdueshme me dron të Rusisë përfaqësonin një pikë të re në luftën e saj kundër Ukrainës, por ishin gjithashtu një shenjë e dëshpërimit të Moskës.
Ai vazhdoi duke thënë se vetë historia e Gjermanisë tregoi se ishte e mundur të rindërtohej edhe pas një lufte shkatërruese, dhe kështu ishte e rëndësishme të planifikohej për të ardhmen e Ukrainës si një anëtare e begatë dhe demokratike e BE-së.
“Kjo konferencë ka të bëjë me krijimin e një Plani Marshall për shekullin e 21-të”, citohet të ketë thënë ai, përcjell Telegrafi.
Plani Marshall ishte një iniciativë e sponsorizuar nga SHBA që ndihmoi në ringjalljen e ekonomive të Evropës Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore.
Ndryshe, udhëheqësit kombëtarë, ekspertët e zhvillimit dhe CEO-t janë mbledhur në Berlin për një konferencë mbi atë që mikpritësit e saj e përshkruajnë si një “Plan Marshall” për të rindërtuar Ukrainën.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, konferenca është organizuar nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Komisioni Evropian.
Vendimi i Vladimir Putin për të nisur një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt ka rezultuar në mijëra vdekje dhe shkatërrim të shtëpive dhe fabrikave.
Ndërsa lufta është dënuar si e paligjshme nga shumica në Perëndim, Moska ende e përshkruan atë si një “operacion special ushtarak” për të çliruar fqinjin e saj nga ekstremistët neo-nazistë.
“Forma e rindërtimit do të formësojë llojin e vendit që do të jetë Ukraina në të ardhmen”, kanë shkruar më herët Scholz dhe presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen në edicionin e së hënës të gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine.
“Një shtet i qeverisur nga ligji me institucione të forta? Një ekonomi e shkathët dhe moderne? Një demokraci e gjallë që i përket Evropës? Ndërsa duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm me krahasimet historike, ky nuk është më pak se një plan Marshall për shekullin e 21”, shkruan ata, duke e konsideruar rindërtimin e Ukrainës si një “detyrë brezash”.
Duke folur në një forum biznesi, Scholz shprehu dëshirat e Gjermanisë që Ukraina mund të bëhet një ditë anëtare e Bashkimit Evropian, një fakt që donatorët duhet ta marrin parasysh kur të përballen me shumat e mëdha që do të kushtonte rindërtimi.
“Lufta e Putinit ka bashkuar vendet tona”, kishte thënë ai në forum. /Telegrafi/