Telegrafi

Udhëheqësit evropianë kërkojnë marrëdhënie reciproke tregtare me Kinën

Udhëheqësit kryesorë të Evropës i thanë presidentit kinez Xi Jinping se dëshirojnë një marrëdhënie tregtare reciproke me Kinën.

Bashkimi Evropian, zona më e madhe tregtare në botë, është bërë gjithnjë e më e pakënaqur nga hapja ekonomike me Kinën dhe në anën tjetër liderët evropian kërkojnë të krijohet një front i përbashkët për të sfiduar rritjen e Kinës.

“Ne, si evropianë, dëshirojmë të luajmë një rol aktiv (në projektin ‘Një Brez, Një Rrugë’). Kjo duhet të çojë në një reciprocitet të caktuar dhe ne jemi ende duke u grindur për këtë”, tha kancelarja gjermane Angela Merkel pas takimit me Jinping në Paris, përcjell Telegrafi.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili në muajin e ardhshëm do të organizojë një takim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kinës, kërkon nga BE-ja për një reciprocitet reciprok tregtar, sipas tij, bizneset evropiane të mund të kenë të njëjtën shkallë të qasjes në tregun kinez siç kanë bizneset kineze në Evropë.

Iniciativa “Një Brez, Një Rrugë”, e mbështetur nga Xi, synon të lidhë Kinën nëpërmjet detit dhe tokës me Azinë Juglindore, Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme, Evropën dhe Afrikën, përmes një rrjeti të infrastrukturës përgjatë Rrugës së Mëndafshit. /Telegrafi/