Revista prestigjoze globale, Times Higher Education, ka publikuar renditjen globale të universiteteve bazuar në impaktin e tyre për zhvillimin e qëndrueshëm, Impact Rankings 2021.
Rektori i kolegjit të UBT-së, Edmond Hajrizi në një prononcim për media ka prezantuar të arriturat e këtij universiteti i cili është renditur në listën prestigjioze të gjysmës më të mirë të renditjes përkrah institucioneve me më shumë emër në botë, ndërsa është institucioni më i mirërenditur nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Ai tha se me këtë pozicion UBT e vendos Kosovën për herë të parë në këtë renditje, duke treguar kështu edhe frytet e shkëlqyera të punës 20-vjeçare të UBT-së.
Sipas tij, Sustainable Development Goals (SDGs), është krijuar dhe modeluar nga Organizatat e Kombeve të Bashkuara (OKB).
“Rankimi i fundit, i një prej institucioneve më prestigjioze të rankimeve të arsimit të lartë të universiteteve ka publikuar rankimet e fundit për fushën e kontributit të universiteteve në zhvillimin e qëndrueshëm, në impaktin dhe kontributin te qëllimet e zhvillimit qëndrueshëm që quhet Sustainable Development Goals (SDGs), të krijuar dhe modeluar nga Organizatat e Kombeve të Bashkuara (OKB). Është menduar që në vitet e radhës, deri në 2030 ky model të jetë fokusi. Ky është model më i akceptueshëm në botë nga të gjitha palët e interesit, politika, qeverisja, ndërmarrjet, akademia e kështu me radhë”, ka thënë Hajrizi.
Ndërkaq, siç tha Hajrizi arritja e UBT-së është e rëndësishme pasi ajo ka lënë pas edhe institucione të arsimit të lartë të mirënjohura, me prestigj dhe traditë. Vlerësimi i impaktit të universiteteve në këtë listë bëhet përmes analizës së të dhënave që lidhen me Sustainable Development Goals (SDGs).
“Arritja e UBT-së është e rëndësishme pasi ajo ka lënë pas edhe institucione të arsimit të lartë më prestigjioze, dhe të mirënjohura. Ne kemi dorëzuar gjatë vitit të shkuar të dhënat tona për impaktin në secilën prej 17 Qëllimeve dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe jemi vlerësuar shkëlqyeshëm për punën e dedikuar si institucion i prirur drejt politikave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe impaktit si në Kosovë ashtu dhe në rajon”, tha rektori Hajrizi.
Ai tutje shtoi se UBT është vlerësuar nga Impact Rankings 2021 për rezultate të larta në zbatimin e politikave të qëndrueshme në të cilat lidhen me industrinë, inovacionin dhe infrastrukturën (SDG 9), kontributin për paqen, drejtësinë dhe institucione të forta (SDG 16), mirëqënien shëndetësore dhe fizike (SDG 3), partneritetin shumë-dimensional për zhvillimin e qëndrueshëm (SDG 17) si edhe zhdukjen e varfërisë (SDG 1).
“Në veçanti, në këtë vlerësim UBT dallohet për impaktin për partneritetin shumë-dimensional për zhvillimin e qëndrueshëm (SDG 17), ku përveç renditjes së shkëlqyer në këtë rankim, vlerësohet me notën më të lartë për impaktin në zhvillimin e kapaciteteve dhe strukturave për STEAM”, tha ndër të tjera Hajrizi.
Ky vlerësim i lartë siç tha Hajrizi nga Times Higher Education është një arritje e shkëlqyer e UBT-së, institucion lider i edukimit në Kosovë dhe rajon për inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Kështu UBT konfirmon rolin e pionerit dhe liderit për marrjen e përgjegjësive në funksion të zgjidhjes së problemeve aktuale dhe zhvillimit me qasje inovative.
Rektori Hajrizi tutje u shpreh se UBT synon që në të ardhmen të pozicionohet edhe më mirë në këtë renditje, edhe përmes thellimit të punës për funksionalizimin e plotë të UBT-së si një universitet i bazuar në një ekosistem inovativ.
“Me investimin e pakrahasueshëm të UBT-së për zhvillimin e edukimit dhe sipërmarrjes, gjatë këtyre viteve të fundit, kjo është një arritje historike për ne. Kapitalizmi i punës së UBT me këtë vlerësim global, është vetëm një nga hapat e parë të ndërtimit të mëtejshëm të UBT si një institucion i sipërmarrjes, inovacionit dhe suksesit”, tha rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi.
Ndryshe, Lista e Impact Ratings 2021 kryesohet nga Universiteti i Manchester në Britaninë e Madhe, ndërkohë që Top 10 mbizotërohet nga universitete nga Australia dhe SHBA dhe Britania. Ndërkohë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk është renditur asnjë universitet tjetër nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Mali i Zi, me përjashtim të një universiteti nga Bosnje Hercegovina por me renditje më të ulët. /Telegrafi/