Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar se një pushtim tokësor i qytetit kufitar jugor të Gazës mund të izolojë Izraelin.
Kryediplomati amerikan tha se një sulm tokësor në qytetin jugor të Gazës, Rafah, do të ishte “gabim” dhe “i panevojshëm” shkaku i miliona njerëzve të strehuar atje.
Vërejtjet e tij duket se theksojnë përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Izraelit dhe aleatit kryesor të tij, SHBA-së, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Këto deklarata të sekretarit amerikan vijnë pas misionit të tij të gjashtë në Lindjen e Mesme ku ka diskutuar për një armëpushim të mundshëm dhe për të ardhmen e Gazës.
We have the same goals as Israel: the defeat of Hamas. But a major ground operation in Rafah is not the way to achieve it. Next week I will meet again with Israeli officials in Washington to discuss a different way we can achieve this objective. pic.twitter.com/CDZJI1xv7q
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) March 22, 2024
Blinken tha se një “armëpushim i menjëhershëm i qëndrueshëm” dhe lirimi i pengjeve nga Hamasi është urgjentisht i nevojshëm.
Gjithashtu, sekretari amerikan bëri me dije se do të takohet me zyrtarët izraelit në Uashington për të diskutuar metodat alternative ndaj një pushtimi tokësor në Rafah.
Pushtimi i Rafahut duket të jetë aq i rëndësishëm për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, sipas të cilit nëse ky pushtim nuk ndodh, Izraeli nuk mund të arrijë qëllimin e tij për të shkatërruar Hamasin.
Madje, Netanyahu është zotuar të shpërfillë edhe paralajmërimet e amerikanëve për të përmbushur dëshirat e veta. /Telegrafi/