Telegrafi

A u sulmua nga pjesëtarët e policisë në Jarinjë, drejtori i OJQ “Aktiv” tregon versionin e tij të ngjarjes

Drejtori ekzekutiv i OJQ-së “Aktiv”, Miodrag Miliçeviq në një konferencë për media ka shpalosur detaje rreth raportimeve se i njëjti ishte sulmuar nga zyrtarët policor në Jarinjë.

Miliçeviq tha se ka qenë rrugës për në Sarajevë, në afërsi të Leshakut, kur ka qëlluar në kolonën e policisë dhe një tjetër veturë, që sipas tij ishte e blinduar.

Ai shtoi se fillimisht ka dashur të tejkaloj veturën e fundit të policisë pasi ishte duke udhëtuar drejtë Sarajevës përmes pikës kufitare Jarinjë.

“Jam munduar që të tejkaloj veturën e fundit dhe një veturë më ka ndaluar dhe më kanë thënë që tejkalimi nuk është i mundur dhe nuk kam tentuar asnjëherë më të tejkaloj veturën në fjalë”, tha Miliçeviq.

Miliçeviq thotë se ka marrë urdhër që të mbajë distancë nga kordoni i veturave të policisë, dhe më pas i kanë kërkuar që të ndaloj.

“Ata më kanë thënë që të ndalem, njëri është afruar afër veturës ka folur shqip dhe nuk e kam kuptuar, i thash që nuk e kuptoj gjuhën. I dyti nga ata tre më është drejtuar në gjuhën serbe me tonin e ngritur m’i ka kërkuar dokumentet dhe më ka kërkuar të dalë nga vetura. Me një koment të thjeshtë u kam thënë që nuk ka nevojë për tensione ai më është kthyer me ‘mbylle gojën’- tregon ai.

Miliçeviq ka pretenduar se një prej policëve e ka goditur me grusht.

“Përveç ënjtjes së thjeshtë nuk kam pasur ndonjë lëndim. Demantet publike se kjo ngjarje nuk ka ndodhur dhe se inspektorati policor do të merret me raste janë në kontradiktë”, tha ai.

Ai ka thënë se ka parashtruar kërkesën në Inspektoratin Policor të Kosovës për të hetuar rastin.

Lidhur me këtë rast kishte reaguar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla i cili kishte thënë se nuk ka ndodhur asnjë problem, incident e aq më pak dhunë ndaj Miliçeviqit.

“Nga vizitat e mia të shpeshta atje dhe takimet me të gjithë zyrtarët policor, jam bindur me sjelljen shembullore të zyrtarëve policor, por përkundër kësaj, kam kërkuar raport nga zyrtarët policor të kufirit dhe hetim të këtyre pretendimeve nga Inspektorati Policor i Kosovës, me rezultatet e të cilit qytetarët tanë do të njoftohen në kohë rekorde. Për të konfirmuar këtë, zyrtarët tanë policor kanë kontaktuar me zyrtarët kufitar të Serbisë të cilët kanë njoftuar se i njëjti nuk ka paraqitur ndonjë shqetësim apo problem gjatë kalimit kufitar”, kishte shkruar Sveçla.

Edhe Policia e Kosovës kishte demantuar raportimet e Miliçeviq ishte sulmuar nga zyrtarët policorë. /Telegrafi/