Dje (e enjte) është raportuar se arsimtarja e matematikës, në një shkollë të Komunës së Suharekës, Remzie Lezi, është përjashtuar nga e drejta për ta ushtruar profesionin e saj, për shkak të bartjes së shamisë.
Kjo gjë u bë e ditur përmes një dokumenti të postuar në rrjete sociale, ku thuhet se Këshilli i Shkollës ka venduar në mënyrë unanime që mësimdhënësja të mos e ushtrojë profesionin në shkollë për shkak të uniformës fetare.
Pas kësaj kanë ardhur reagimet të shumta, në mesin e tyre dhe nga emra të estradës dhe fytyra të njohura publike.
Në mesin e atyre që kanë reaguar është edhe këngëtarja e njohur, Filloreta Raçi-Fifi, e cila përmes një postimi në InstaStory u shpreh se secili ka drejtë të vishet ashtu siç do.
Madje ajo tha se Këshilli i Shkollës duhet të ketë turp për këtë vendim, pasi mënyra e të veshurit është zgjedhje individuale.
“Pse nuk bën kjo me shami me dhënë mësim në shkollë? A ka vlera me pak se një tjetër mësueses? Apo është e paditur? Apo i trajton studentët ndryshe? Secili ka të drejtë të vishet si të dojë. Është zgjedhje individuale/ Me qenë me shami nuk bën. Me qenë me këmishë nuk bën. Të shkosh me xhinse nuk bën. Po më vjen marre e ndërsa juve Këshillit të kësaj shkolle kam një fjalë..Turp”, ka shkruar Fifi në postim.
Kujtojmë që nuk është hera e parë që këngëtarja e reagon dhe ngrit zërin për çështje të ndryshme që ndikojnë në shoqëri, pak ditë më parë Fifi ishte pjesë e protestës së në Tiranë lidhur me dhunimin e një 11-vjeçareje në Prishtinë, madje ishte një nga organizatoret. /Telegrafi/