Telegrafi

U propozuan zëvendësministrat e Qeverisë së Maqedonisë, Arta Toçi kontestohet nga OBRM-PDUKM-ja

Alsat-M bën të ditur se Kryeministri Zoran Zaev propozoi 15 kandidatët e rinj për zëvendës ministra në kabinetin e ri qeveritar. Zaev në arsyetimin e tij tha se personat e propozuar janë profesionistë të vërtetë dhe është i bindur se ata do të punojnë në përputhje me Kushtetutën dhe në dobi të qytetarëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Mirëpo deputetët e OBRM-PDUKM-së kundërshtuan këto propozime duke thënë se janë emra partiak, të harxhuar dhe prej tyre nuk mund të pritet t’i përmbushin reformat e nevojshme. Në veçanti deputetët e OBRM-PDUKM-së kundërshtojnë kandidimin e Arta Toçit për zëvendës ministre e jashtme, sepse e njëjta sipas OBRM-PDUKM-së, nuk pranon emrin kushtetues të Maqedonisë dhe se ajo ka thënë se Maqedonia Perëndimore i takon Shqipërisë.

Antonio Milloshoski theksoi se zv. ministresha për punë të jashtme, Arta Toçi, nuk është e denjë për t’u emëruar në këtë post, pasi sipas tij, Toçi më herët ka deklaruar se Maqedonia perëndimore duhet t’i takoj Shqipërisë dhe se Maqedoninë në të shumtën e rasteve e quan FYROM.

“Arta Toçi mbështet idenë se Maqedonia perëndimore duhet t’i takojë Shqipërisë. Vlerësojmë se një sjellje e këtillë, duke cenuar integritetin territorial dhe emrin tonë kushtetues nuk jep garanci se Arta Toçi me entuziazëm do ta përfaqësoj Republikën e Maqedonisë, të cilën në të shumtën e rasteve madje e quan FYROM”, deklaroi Antonio Milloshoski, OBRM-PDUKM.

Ndërkohë kryeministri Zoran Zaev theksoi se kandidatët propozuar do të punojnë në interes të qytetarëve.

“Janë institucionet që vendosin, kaloi koha kur vendoste vetëm një përson. Dhe një gjë ta kemi të qartë se parlamenti i emëron dhe shkarkon”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev./Telegrafi/