Mbi 1 mijë e 500 armë të llojeve dhe kalibrave të ndryshme janë asgjësuar sot nga Policia e Kosovës.
Këto armë ishin konfiskuar nga Policia e Kosovës në operacione të ndryshme në tërë territorin e Kosovës.
Shkatërrimi i armëve të llojeve të ndryshme të cilat janë konfiskuar në raste të ndryshme penale është lejuar me vendim të gjykatës, pasi që për të gjitha kanë përfunduar të gjitha procedurat gjyqësore.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq tha për Telegrafin se këto armë janë konfiskuar në kuadër të aktiviteteve të PK-së në luftën kundër krimit.
“Policia e Kosovës në aktivitetet e saj në luftën kundër krimit ka konfiskuar një numër të madh të armëve, mesatarisht 1500-2000. Në bashkëpunim me UNDP ne sot po asgjësojmë këto armë të cilat u kanë takuar personave që kanë kryer vepra të ndryshme penale”, tha Jankoviq.
Në anën tjetër Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros u shpreh për Telegrafin se me asgjësimin e këtyre armëve ne po ofrojmë mjedis më të sigurt.
“Është kënaqësi të jem sot këtu. Kjo është pjesë e bashkëpunimit tonë UNDP-Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës. Është pjesë e mbështetjes së Ministrisë dhe Policisë së Kosovës në trajtimin e armëve. Nga viti 2013 e deri më sot janë mbi 15 mijë armë të cilat i kemi asgjësuar. Sot konkretisht kemi asgjësuar më shumë se 1 mijë e 500 armë. Ajo që është e rëndësishme për Kosovën është se çdo armë që sot po e asgjësojmë nuk është më në duart e kriminelëve, dhe ne kështu mund të sigurojmë personat dhe të punojmë për sigurinë në Kosovë”, tha Queiros.
Ai shtoi se UNDP për më shumë se 10 vite është partner me Policinë e Kosovës dhe MPB.
“Të gjitha këto armë kanë qenë pjesë e rasteve kriminale. Këto armë kanë lënduar dikë, ose janë përdorur në aksione të ndryshme kriminale. Natyrisht ne do të donim që të shmangim këtë, por gjëja më e mirë që mund të bëjmë është që njëherë kur kapim këto armë t’i shkatërrojmë dhe të sigurohemi që ato nuk do ta lëndojnë më askënd”, u shpreh Queiros për Telegrafin.
Asgjësimi i armëve të konfiskuara u bë në fshatin Prelez të Ferizajt. Armët e shkrira do të shfrytëzohen për prodhimin e kapakëve të pusetave.
Ministria e Punëve të Brendshme vitin e kaluar pati deklaruar se janë 250 mijë armë ilegale nëpër duart e qytetarëve.
Ky aktivitet është mbështetur nga Bashkimi Evropian si dhe përmes mbështetjes nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë- Programit të Kosovës për Siguri (KSSP) si dhe SEESAC. /Telegrafi/