Një shpallje përmes së cilës iu ishte kërkuar pensionistëve kosovarë që t’i dërgojnë disa dokumente në mënyrë që t’iu ndihmonte për marrjen e pensioneve të cilat ua ka borxh Serbia, e cila kishte marrë mjetet e Fondit Pensional të Kosovës, ka nxitur edhe policinë për reagim.
Bëhet fjalë për një lajmërim të shpërndarë ku shkruante se adresa e paraqitjes është “Hotel Grand Prishtina; në katin e III-të, numër 306 nga e hëna deri të premten prej orës 12:00 deri në orën 15:00”.
Në këtë lajmërim kërkohej që pensionistët në fjalë t’i sillnin dokumentet si letërnjoftimin, vendimin e pensionit, dhe një çek të pensionit në periudhën kur e ka marrë atë.
Po ashtu në këtë lajmërim ishte edhe nënshkrimi dhe një vulë e një personi që paraqitej si avokat, përcjell Telegrafi.
Lidhur me këtë, Telegrafi ka tentuar që gjatë ditës së hënë dhe të martë të kontaktojë me personin në fjalë, por telefoni i tij ka qenë i ndalur. Gjithashtu, një kontakt është tentuar edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, por zyra në fjalë ka qenë e mbyllur.
Por, ky person dyshohet se ka mashtruar qytetarët në veçanti pensionistët në fjalë, i shoqëruar edhe nga një person tjetër, për të cilën gjë edhe është marrë në pyetje nga policia.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, në një përgjigje dhënë Telegrafit ka bërë të ditur se në këtë rast kanë qenë të përfshirë dy persona dhe janë arrestuar për vepra penale e më pas janë liruar.
“Më 23.07.2019, nën dyshimin për përfshirjen në veprat penale ‘mashtrim’ dhe ‘bashkryerje’, janë arrestuar dy të dyshuar: H.K.1953, m.k.sh dhe I.Sh. 1953, m.k.sh., që të dy janë me akt-vendim të prokurorit, pas intervistës janë liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë Krasniqi.
Shteti i Serbisë kishte ndalur kontributet e pensionistëve të Kosovës nga qershori i vitit 1999, pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë.
Që nga atëherë, pensionistët e periudhës para vitit 1999 nuk kanë arritur të marrin paratë e tyre nga ky fond, ndërkohë që, sipas Shoqatës së Pensionistëve, tashmë një numër i konsiderueshëm edhe kanë ndërruar jetë dhe mbetet diskutabile edhe çështja e trashëgimit të pensionit.
Sipas vlerësimeve të përafërta që prezantohen nga shoqatat e pensionistëve, thuhet se shuma e Fondit Pensional të Kosovës, i cili është marrë nga Serbia, arrin vlerën mbi dy miliardë euro. /Telegrafi/